Kreu

Këshilli Ekonomik Kombëtar

Këshilli Ekonomik Kombëtar ka për qëllim institucionalizimin e dialogut mes qeverisë dhe sipërmarrjes, në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit duke hedhur bazat e një zhvillimi ekonomik të qendrueshëm dhe në përgjigje të kërkesave të një tregu dinamik.

Këshilli Ekonomik Kombëtar do të garantojë bashkëpunimin institucional dhe partneritetin publik privat për zhvillimin e politikave ekonomike, për garantimin e  dialogut dhe këshillimin ndërmjet organeve të administratës shtetërore dhe sektorit privat, për rritjen e transparencës në vendimmarrjen politike të qeverisjes dhe përfaqësimin e sektorit privat në këtë proces.
 
Objekti i veprimtarisë së këtij këshilli, do të jenë nismat dhe praktikat e organeve të administratës shtetërore për ndryshimin e ligjeve apo akteve nënligjore, si dhe projektet për ndryshimin e politikave, të cilat kanë ndikim në fushat e ekonomisë, të tilla si: strategjitë dhe programet qeveritare të zhvillimit të ekonomisë; përgatitja e Buxhetit të Shtetit dhe paketave fiskale; politikat e privatizimit dhe prokurimeve publike; politikat e nxitjes së investimeve; politikat e zhvillimit të tregtisë dhe të biznesit; politikat e konkurrencës, mbikëqyrjes së tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve; politikat e punësimit dhe të pagave; politikat e edukimit dhe zhvillimit të kërkimit shkencor; monitorimi i ndikimit në klimën e biznesit i praktikave rënduese burokratike dhe rastet e arbitraritetit të administratës shtetërore; përmirësimi i legjislacionit tatimor dhe procedurave përkatëse si dhe çështje të tjera me ndikim në zhvillimin e ekonomisë së Republikës së Shqipërisë.
 
Këshill Ekonomik Kombëtar, mblidhet nën përgjegjësinë e Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, kryesohet nga Kryeministri, dhe në përbërje të  tij janë të gjithë ministrat përgjegjës. Bëjnë pjesë në këshill, personalitete të ekonomisë kombëtare dhe ndërkombëtare, përfaqësuesit e shoqatave të biznesit. Në mbledhjet e këtij këshilli marrin gjithashtu pjesë si të ftuar përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare të rëndësishme, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Korporata Financiare Ndërkombëtare, Banka Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe drejtorë të rëndësishëm që kanë ndikim në sistemin e ekonomisë dhe në sistemin fiskal.